- Bekohet flamuri në ditën e Pavarësisë
Dje në ditën e Shpalljes së Pavarësisë,
Kisha Ortodokse ka bashkuar banorë dhe pushtetarë
pa dalllim feje. Dhoksologjia e shenjtë e Flamurit
u zhvillua në Katedralen "Ngjallja e Krishtit".
Është kjo një traditë e vjetër
që është zhvilluar fill pas shpalljes
së Pavarësisë në këtë
qytet, por që u ndërpre në kohën
e regjimit komunist për të rifilluar sërish
dhjetë vjet më parë. Gjithë banorët
e qytetit, duke përfshirë dhe autoritete të
pushtetit dhe partive politike, pa dallim feje, hynë
në Kishë dhe morrën pjesë në
këtë ceremoni fetare, qëllimi i së
cilës është bekimi i Flamurit Kombëtar
dhe t'i lutet Zotit për të ruajtur dhe forcuar
shtetin shqiptar, për të pasur zhvillim, prosperitet,
demokraci, mirëkuptim, paqe dhe tolerancë.
Dhoksologjia e shenjtë e Flamurit u zhvillua nga
Mitropoliti i Korçës, imzot Johani, i shoqëruar
nga gjithë klerikët e Mitropolisë në
këtë qytet. Mes të tjerash, ai tha Se
"kisha ortodokse i nxit besimtarët e saj të
duan vendin e tyre sepse është e pamundur
të duash Zotin dhe të mos duash vendin ku
ti jeton. Bekimi i parë i zotit është
pavarësia". Në këtë ceremoni
fetare u kujtuan patriotët që gjithë
jetën e tyre punuan, luftuan dhe një pjesë
e tyre dhanë edhe jetën për lirinë
dhe pavarësinë e vendit. Dhoksologjia përcolli
tek të pranishmit besim dhe shpresë dhe një
lutje për paqe, dashuri për njëri-tjetrin,
falje, mirëkuptim dhe besim tek një e ardhme
më e mirë.
Më pas pjesëmarrësit e festimeve të
ditës së djeshme u mblodhën tek salla
e Teatrit Profesionist "A.Z. Çajupi",
ku dhe u zhvillua një takim solemn. Ata i përshëndeti
Kryetari i Këshillit të Qarkut të Korçës
Fehmi Xhemo dhe Prefekti i Korçës. Grupi
artistik i Qendrës Kulturore "Vangjush Mio"
dha një program artistik kushtuar historisë
së lavdishme të popullit tonë. Më
pas drejtues të pushtetit bënë vizita
në familje të patriotëve të njohur
korçarë.
29/11/2003
Shekulli
Shko në krye
Shpallet pa faj polici grek i akuzuar
Është shpallur i pafajshëm polici grek, i
cili i humbi jetën vrau një shqiptari në
nëntor të 2001. Gjyqi i zhvilluar para dy ditësh
e ka quajtur të pavlefshme akuzën e ngritur ndaj
tij për vrasje me paramendim, duke pranuar versionin
e avokatit mbrojtës se "policit i është
shkrepur arma në mënyrë të pavullnetshme".
"Kjo tregon se jeta e një shqiptari nuk ka vlerë
për autoritetet greke",- ka reaguar ashpër
Helsinki grek ndaj këtij vendimi dhe ka deklaruar se
çështja do të shkojë në Gjykatën
Europiane.
Një gjykatë greke ka shpallur të pafajshëm
policin grek Rizopulos, i cili në nëntor të
2001 vrau me një plumb në kokë gjatë
një kontrolli të rëndomtë në një
prej shesheve të Athinës, emigrantin shqiptar
Gentian Çelniku. Gjyqi, i cili u bë para dy
ditësh e shkarkon policin nga akuza e vrasjes. Gjyqtarët
grekë nuk dhanë asnjë shpjegim për vendimin.
Në përgjithësi gjyqtarët nuk japin një
justifikim të vendimit, me përjashtim të
rasteve kur u kërkohet. Pala mbrojtëse argumentoi
faktin se arma e policit u shkrep aksidentalisht dhe se
nuk ishte vrasje me paramendim, ashtu si thuhej në
akt akuzën e ngritur ndaj tij. Helsinki grek shprehu
shqetësimin e tij për shpalljen të pafajshëm
të policit grek, i cili është akuzuar për
vdekjen e emigrantit shqiptar. "Vendimi tregon se jeta
e një shqiptari nuk ka vlerë për autoritetet
greke", -tha përfaqësuesi I Helsinkit grek
z Dhimitris Panajiotis. "Ne do ta përfshijmë
çështjen në çdo diskutim",
-u shpreh Panajotis, dhe shtoi se ai do ta ndjekë çështjen
deri në Gjykatën Europiane të të Drejtave
të Njeriut. "Një gjyqtar publik e ka akuzuar
Rizopulon për vrasje me paramendim. Një gjyqtar
me gradë më të lartë më vonë
ndryshoi akuzën për vrasje", -u shpreh Panajotis.
Dega e Mbikëqyrjes së Helsinkit vazhdimisht ka
denoncuar keqtrajtimin e emigrantëve shqiptarë
në duart e forcave policore greke. Jo vetëm vëzhguesit
e Helsinkit por edhe "Amnesty International" u
ka të tërhequr vëmendjen autoriteteve greke
për keqtrajtim të emigrantëve kryesisht shqiptarë
nga policia greke". Organizata për mbrojtjen e
drejtave të njeriut, "Amnesty International"
në një raport të saj dy javë më
parë shprehu shqetësim lidhur me përdorimin
e dhunës së vazhdueshme nga ana e policisë
dhe ushtarëve grekë, ndaj emigrantëve ilegalë
shqiptarë, të cilët shpesh bëhen objekt
i dhunës dhe në disa raste edhe viktima të
plumbave të policëve grekë.
"Amnesty International" u bën thirrje autoriteteve
greke që incidentet e keqtrajtimeve të hetohen
në mënyrë të paanshme dhe personat përgjegjës
të nxirren para drejtësisë, ndërsa viktimat
e keqtrajtimeve të kompensohen.Vendimi në fjalë
nuk është as i pari dhe as i fundit. Deri tani
gjykatat greke nuk kanë dënuar asnjë polic
i cili ose ka vrarë, ose ka ushtruar dhunë ndaj
emigrantëve.
A. Metaj, Shekulli, 28/11/2003
Shko në krye
Kujtesa e botës në Kodikët e Shqipërisë
Botohet libri me 100 kodikët shqiptarë të
shekullit të 14-të
Ndryshe ata quhen kujtesa e botës dhe ruhen si disa
prej veprave më të rëndësishme në
zhvillimin e njerëzimit. "Beratinus-1" është
një prej arketipeve më të lashta të
Dhjatës së Re, ruajtur në vendin tonë
që prej shekullit të 14-të. Ai është
njëri nga dy kodikët që gjenden në Shqipëri
dhe që në botë ekzistojnë vetëm
shtatë. Dëshmi të rregullimit të jetës
shqiptare në bashkësi (përveç së
drejtës zakonore dhe asaj qytetare) janë edhe
kodikët, 100 prej të cilëve do të shkundin
"harresën" dhe errësirën e arkivës
për t'iu bashkuar ilustrimit në një botim
me vlerë enciklopedike, si libri "Kodikët
e Shqipërisë". Libri i paraqitur dje në
ambientet e hotel "Sheraton" nga Drejtoria e Arkivave,
bën fjalë për 100 kodikë të shkruar
nga shekulli i gjashtë deri në atë të
njëzetë, të cilët janë mbërthyer
në një botim luksoz.
Kodikët janë botime ungjillore, por vlera e tyre
është jo vetëm fetare. Dorëshkrimet
origjinale të ruajtura prej njerëzve të kësaj
bote, fillojnë me krishtërimin. Dorëshkrime
të tilla mund të jenë ruajtur që në
shekullin e parë, kohëra kur kumti i krishtërimit
për herë të parë shenjohej në letër
prej ungjillorëve të mëdhenj. Tradita e shkrimeve
të krishtera në Shqipëri zgjati, të
paktën 15 shekuj, duke qenë një prej traditave
kulturore më të qëndrueshme dhe të pandërprera,
madje edhe në ata shekuj të mjegullt, kur emri
i shqiptarëve në shkrimet laike del shumë
rrallë, apo mbetet krejt në mënjanësi.
Shqipëria zotëron dy kodikë "Beratinus"
dhe "Kodikun e Artë të Anthimit", të
cilat morën rëndësi botërore si një
dorëshkrim i hershëm që mund të ndihmonte
për të plotësuar historinë e zhvillimit
të mendimit ungjillor, nëpërmjet studimeve
të posaçme të tekstologjisë kritike,
që mund të thuhet se në dijen shqiptare sapo
kanë filluar. Numri i kodikëve me njohje ndërkombëtare
të ruajtur në Shqipëri, duke përjashtuar
"Kodikun e Artë të Anthimit" dhe disa
të tjerë, është i kufizuar.
Gazeta Panorama
27 Nëntor 2003
Shko në krye
Amerikanët respektojnë luftën e Kosovës
Kreu i Bashkisë së Nju Jorkut Bloomberg viziton
Prishtinën duke pohuar mbështetjen që populli
i tij u jep kosovarëve.
Kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, Michael Bloomberg,
ka qëndruar të hënën në një
vizitë në Kosovë. Ai u prit në aeroportin
e Prishtinës nga kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova,
kryeministri Bajram Rexhepi, prefekti i Prishtinës
Ismet Beqiri, ministri I Kulturës, Rinisë, Sporteve
dhe Çështjeve Jorezidente, Behxhet Brajshori,
dhe personalitete të tjera. Në aeroport një
grup të rinjsh nga ansambli i këngëve dhe
valleve "Shota", të veshur në kostume
kombëtare I dhuruan lule dhe vallëzuan për
nder të zyrtarit të lartë të Nju Jorkut.
Bloomberg deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës
e dinë që kjo pjesë e botës ka vuajtur
shumë dhe se duhet të gjithë të sigurohen
se shqiptarët kanë të drejtën për
liri. Ai tha se amerikanët kanë respekt për
luftën që patën shqiptarët. Bloomberg
këtë deklaratë e dha pas takimit që
pati me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, kryeministrin
Bajram Rexhepi dhe me kryetarin e Kuvendit të Prishtinës
Ismet Beqirin, të cilët mysafirit nga Amerika
i dhanë dhurata të ndryshme me origjinë kosovare.
"SHBA-të e dinë se në këtë
pjesë të botës ka pasur vuajtje. Ne duhet
të sigurohemi se shqiptarët kanë të
drejtën për liri. Amerikanët kanë respekt
për luftën që patën shqiptarët",
- tha Bloomberg, duke shtuar se ata janë duke parë
mundësinë se çfarë ndihme mund të
japin për ta siguruar demokracinë në Kosovë.
Bashkiaku I Nju Jorkut, Bloomberg më pas vuri lule
dhe një kristal të sjellë nga qyteti i tij
te busti i Nënës Terezës, e më pas mori
në hapjen e ekspozitës së pikturave kushtuar
11 shtatorit të vitit 2001 në Teatrin Kombëtar.
Po në këtë ndërtesë për nder
të mysafirit nga Nju Jorkut u organizua edhe një
koncert me këngë dhe valle të ansamblit "Shota".
Me këtë rast kryeministri i Kosovës, Bajram
Rexhepi i dhuroi atij flamurin kombëtar të shqiptarëve
dhe e falenderoi për të gjitha që Amerika
ka bërë për Kosovën. Në një
fjalim të tij në Teatrin Kombëtar, Bloomberg
falenderoi të gjithë që e kanë ftuar
dhe tha se ai ka sjellë në Kosovë përshëndetjet
e 8 milionë njerëzve të Nju Jorkut, posaçërisht
të atyre që i kanë rrënjët e tyre
në Kosovë.
"Njerëzit e Nju Jorkut kanë kaluar nëpër
kohë të vështira, ashtu si kosovarët,
prandaj kemi momente të përbashkëta dhe në
këtë rast të gjithë qytetarët e
Nju Jorkut mbështesin dëshirën tuaj për
demokraci",- tha Bloomberg. Ai ndër të tjera
tha se amerikanët kuptojnë dhe janë mirënjohës
"për gjithë punën që keni bërë
për vendin tuaj dhe që e keni përkrah Amerikën".
"Të gjithë qytetarët tanë janë
bashkë për krijimin e një ardhmërie
të fëmijëve, ashtu siç jeni duke bërë
edhe ju", - tha Bloomberg duke shtuar se Kosova në
fund do ta ketë lirinë, nëse i krijon institucionet
që e bëjnë atë liri". Duke folur
për shenjtërinë e Nënë Terezës
ai tha se ajo vërtet ka qenë një bijë
e Shqipërisë dhe një nënë për
gjithë botën. "Ajo është shumë
e respektuar në Amerikë dhe shembujt e saj do
të jenë shembuj për gjithë botën"
- tha Bloomberg, i cili udhëtoi për në kampin
"Bondstell" për t'i vizituar ushtarët
amerikanë. Udhëtimi i kryebashkiakut Bloomberg
në Kosovë u mundësua nën organizimin
e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan KKSHA).
Shekulli
25/11/2003
Shko në krye
Përsosmëria e Shqiptares 13 vjeçare
në tenis
Biznesi gjerman ia ka shtruar rrugën e saj me dafina
të arta, nëse ajo pranon të luajë për
Gjermaninë, duke i dërguar asaj vazhdimisht oferta
dhe kontrata të majme, që do t'i sigurojnë
Danielës një të ardhme të sigurtë
në majën e tenisit botëror. Por, Daniela
së bashku me babanë e saj Martin Islamaj, që
është dhe njëkohësisht stërvitësi
i saj, nuk i kanë pranuar këto oferta, duke i
refuzuar ato vazhdimisht, sepse pranojnë të luajne
vetëm me ngjyrat e atdheut të tyre.
Krenaria shqiptare dhe patriotizmi i familjes Islamaj ka
triumfuar deri tani mbi smirën monetare të ofruar
nga të huajt, duke pasur shpresën se do të
kenë mbështetje shqiptare. Por, në Shqipëri
flejnë duke mos ditur se çfarë ndodh përtej
hundës së tyre. Nga Olimpiku shqiptar nuk ka ardhur
asnjë lloj mbështetje për stërvitjen
dhe të ardhmen e Danielës në sportin mjaft
të kushtueshëm të tenisit, që së
bashku me golfin dhe hipizmin, konsiderohen si "Sporte
pasanikësh", mbasi ushtrimi dhe aktivizimi në
këtë sport (dhe vetëkuptohet edhe fitimet),
i bëjnë si me të shtrenjtit në botën
sportive. Dhe kjo, aq më tepër për tenisin,
mbasi ai mbetet si sporti vetjak më reklamues dhe më
i vështirë mbasi në të, ndryshe nga
sporte inviduale të tjera si boksi, atletika, peshëngritja
etj., ai nuk
është i ndarë në shumë kategori,
por në të marrin pjesë të gjithë
në një kategori të vetme dhe më i miri
është realisht më i miri i të gjithë
sportistëve në botë që ushtrojnë
tenisin. Vendi i parë do të thoshte të jesh
në krye të elitës më të mirë
të zgjedhur nga qindra miliona teniste në mbarë
botën. Dhe vajza shqiptare, Daniela Islamaj, është
futur në këtë elitë, duke zënë
deri pak më parë vendin e 23-të në Botë
për moshën e saj U-14 dhe vendin e parë në
Gjermani. Suksesi i saj është një mrekulli
e vërtetë, duke marrë parasysh se ajo ka
arritur deri këtu me forcat dhe mbështetjen vetëm
të familjes së vet dhe në mënyrë
të veçantë të babait të saj,
që luan dhe rolin e trajnerit për të.
Por, me sa duket, kjo mrekulli do të mbesë për
ne vetëm për një kohë të shkurtër,
mbasi e ardhmja e saj në këtë sport kërkon
një investim financiar, që është i papërballueshëm
për familjen e saj. Zgjidhja e vetme është
ajo që ka ngjarë në rininë e tyre me
të gjithë sportistët e njohur botërorë:
Sponsorizimi i tyre nga afaristë, ose nga shteti, për
të cilin luajnë. Afaristë, kompani të
ndryshme gjermane dhe Federata gjermane i janë gjendur
pranë Danielës, me kontrata të ndryshme sponsorizuese,
por që në thelb ato kanë një kusht të
përbashkët: përfaqësimin nën ngjyrat
gjermane. Kjo bëhet për arsye sepse produkti,
që do të reklamojë Daniela, do të shitet
në Gjermani dhe nëse Daniela luan për ndonjë
përfaqësuese tjetër, ajo nuk është
dhe aq e njohur dhe interesante sa duhet për publikun
dhe konsumatorin gjerman.
Nga atdheu i saj Shqipëria nuk ka ardhur pothuajse
asnjë përgjigje serioze pozitive, lidhur me mbështetjen
e saj, deri sa ajo të eci me këmbët e veta.
Në verën e kaluar, Daniela së bashku me babanë
e saj Martinin ishin në Shqipëri në një
vizitë pushuese si dhe për të bindur sponsorizuesit
e saj të mundshëm, se investimi i tyre në
karrierën e saj do të jetë shumë fitimprurëse
për ata vetë si dhe për prezantimin e Shqipërisë
nga ana e saj e mirë. Martini shkoi edhe në Ministrinë
e Kulturës dhe të Sporteve për të kërkuar
një bursë për Danielën, por përveç
premtimeve boshe nuk mori asgjë me vete. E njëjta
gjë ndodhi edhe me disa afaristë shqiptarë,
nga të cilët, me gjithë pasurinë e pamasë
të tyre, askush nuk afroi seriozisht bashkëpunimin
e tij, ndonëse ajo do të ishte si një kokërr
rëre në një plazh, duke pasur parasysh shumën
qesharake që i nevojitet Danielës në krahasim
me mundësitë që do të mund të ofronin
ata. Dhe të mos harrojmë se në Shqipëri,
ashtu dhe si në shumë vende evropiane ekziston
një ligj për sponsorizimet e sportistëve
shqiptarë të talentuar, ku në bazë të
tij, shuma e ofruar nga sponsorizuesi hiqet nga taksa financiare
që ai i paguan shtetit shqiptar. Pra, çdo lloj
mbështetje për Danielën nuk do të hiqej
nga fitimi i sponsorizuesit, por nga ajo që ai ka paguar
më parë ndaj shtetit.
Kohët e fundit, Danielës i është paraqitur
dhe mundësia që ofron një miliarder nga Emiratet
e Bashkuara Arabe, i cili nën ndjenjën e patriotizmit
për vendin e tij, i ka bërë një ofertë
"përrallore" disa tenisteve të reja
të talentuara të huaja që të përfaqësojnë
në tennis vendin e tij arab, me qëllim që
tenisi të bëhet akoma më i njohur midis rinisë
arabe. Dhe kjo, jo më kot, mbasi dihet se sporti i
tenisit dhe yjet e saj janë dhe yjet e reklamimit dhe
të medias, si dhe asaj që quhet "Shoubiznes".
Kështu, në realitet çdo qindarkë e
hedhur për finacimin e këtyre sportistëve
të talentuar do të kthehet njëmijëfish
nga reklamimi që ata do t'i bëjnë vendit
të tyre në mbarë botën dhe gjithashtu
produketeve të ndryshme të biznesit të tyre.
Por, me sa duket, Shqipëria në këtë
fushë tepër të rendësishme të zhvillimit,
jo vetëm nuk bën pjesë në Evropë,
por ndodhet diku mbas vendeve të treta, të cilat
edhe ato po bëjnë të gjitha përpjekjet
që, duke shfrytëzuar dhe sportin të rrisin
nivelin e tyre ekonomik dhe kulturor. Mosmbështetja
e Danielës nga shteti zyrtar Shqiptar apo financierët
shqiptarë, do ta detyrojnë këtë vajzë
të talentuar dhe familjen e saj që të pranojnë
një nga ofertat e huaja, që i afrohen asaj vazhdimisht.
Ata do të pranojnë jo dhe aq për fitimet
kolosale monetare, por më tepër për të
siguruar të ardhmen e suksesshme të Danielës
në një sport, ku vetëm njëri është
në krye dhe të gjithë të tjerët
renditen poshtë tij.
"E ardhmja e Danilës është e pasigurtë,
sepse ajo është nën presionin e vazhdueshëm
të ofertave që vijnë në adresë
të saj". Kështu është shprehur
i ati i tenistes më të talentuar shqiptare, Daniela
Islamaj, që rrezikon konkurrim në turne të
ndryshme nën flamuj të vendeve të tjera.
Është një trill i
një personi të vetëm, që dëshrion
të bëjë diçka më shumë për
rininë e vendit të tij. Na ka shkaktuar disa netë
pa gjumë, pa mundur ta zgjidhim dilemën. Vetëm
për një gjë më vjen keq: pse ky të
mos jetë një shqiptar". Një shqetësim
ai i Martin Islamajt, që i shtohet dhe ai i shkollimit
të Danielës, që tashmë është
kthyer thuajse me korrespondencë. "Janë një
sërë faktorësh, të cilët funksionojnë
vetëm nëse janë të lidhur me njëri-tjetrin,
nënvizon Martini, që Daniela të stërvitet
gjatë gjithë ditës, ajo duhet të kalojë
në një shkollë me korrespondencë. Ne
edhe tani i filmojmë pothuaj të gjitha seancat
stërvitore si dhe ndeshjet e Danielës dhe i analizojmë
më vonë, gjë që përbën pjesën
teorike të përgatitjes taktike". Një
gazetar në Gjermani e ka ngacmuar të atin e Danielës
me një pyetje rreth Shqipërisë, se "pse
ngulni këmbë që Daniela të luajë
për Shqipërinë? Tenisi është një
sport internacional dhe për të do të ishte
më e lehtë po të përfaqësonte Gjermaninë".
Martini nuk bie pre e pyetjes dhe përgjigjet me të
njëjtën monedhë: "Ndarja fizike nuk
do të thotë patjetër edhe ndërprerje
e lidhjeve shpirtërore me atë që ke lënë
pas. Duke ndjekur ndryshimet që ndodhin në Shqipëri,
unë e ndiej si detyrë morale që secili prej
nesh duhet të jape ndihmesen me mënyren e vet
që ky vend të përparojë".
www.Sportdashësi.com
Gazeta Panorama
25 Nentor 2003
Shko në krye