Web albemigrant.com
Dëshironi ti merrni lajmet automatikisht në e-main tuaj? Klikoni këtu poshtë:

Përtej simbolikës së një koncerti

Nga Ajet Nuro, Montreal, Kanada

E-mail anuro@albemigrant.com

Para tre javësh kur Bushi ndodhej në Shqipëri, shqiptarët e Montrealit u mblodhën për të festuar këtë ngjarje por edhe për të përkujtuar tetë vjetorin e çlirimit të Kosovës prej trupave pushtuese serbe. Atë ditë kryetari i kommunitetit shqiptar këtu në Montreal më tha se ekziston një dëshirë e shoqatave shqiptare këtu në Kanada por dhe në anën tjetër të kufirit pra në qytetet më të afërta të Amerikës si në New York, Boston, Detroit etj për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin apo për të organizuar aktivitete të përbashkëta. Nuk kaluan shumë ditë dhe nga shoqata shqiptare na u dërgua një e-mail për të na njoftuar se një koncert do të organizohej në Montreal më 29 qershor 2007.Lulzim Laloshi Në telefon Lulzim Laloshi kryetari i Komunitetit Shqiptar të Kebekut në Montreal më tha se po punonte që në koncert të ishin të ftuar edhe nga shoqatat shqiptare në Toronto e Otava, shoqatat më të afërta me Montrealin. Dihen vështirësit në kontaktet me njër-tjetrin por falë internetit kontaktet janë shumë herë më të lehta se njëherë e një kohë. Pra, dashje pa dashje, edhe unë u përfshiva në kontaktimin e shoqatave. Këtë pranverë u takuam këtu në Montreal me zotin Leonard Zoga, një miku im i vjetër që banon në Toronto, i cili na ndihmoi këtë herë të vihemi në kontakt me drejtuesit e shoqatës në Toronto. Përgjigja erdhi shumë shpejt. Roland Lelaj, që njihet për aktivitetin e tij ndër shqiptarët e Torontos por edhe në internet (alb-shkenca) jo vetëm shprehu gatishmërinë për bashkëpunim por lajmin për koncertin në Montreal e përfshiu në numrin më të fundit të gazetës ION që ka filluar botimin para disa muajsh në Toronto. Ndoshta një ditë kjo gazetë bëhet edhe e jona.

Koncerti

Thonë që kënga dhe muzika në përgjithësi të bashkojnë por në rastin kur je emigrant ajo ka tjetër kuptim. Ajo ka atë dëshirën për të qëndruar i lidhur me atdheun, lidhjen me njëri-tjetrin, ruajtjen e traditave, gjuhës etj. Si mund ta shpjegosh ndryshe gjithë atë pjesëmarrje të shqiptarëve në koncertin e 29 qershorit. Në fund të fundit nuk besoj se shqiptarëve këtu në Montreal u mungon gjë tjetër më shumë se sa Shqipëria dhe ambienti shqiptar. Në fakt komuniteti shqiptar i Kebekut në Montreal në njoftimin për koncertin njoftonte gjithashtu edhe praninë e ambasadorit të Shqipërisë në Otava, shkëlqesisë së tij zotit Besnik Konçi. Fatkeqësisht, për arsye që nuk vareshin nga ambasadori, ai nuk mundi të vinte. Sidoqoftë pjesmarrësit në koncert patën nderin të presin Konsullin e Nderit të Republikës së Shqipërisë në montreal, avokatit Harry Bloomfield. Për Konsullin përfaqësuesi më i shquar i shqiptarëve është Xhajms Belushi. Ndonës një nga të pranishmit përpiqej ti mbushte mendjen se përfaqësuesi më i madh i shqiptarëve dhe shqiptari më i madh është Ismail Kanadare, avakati njihte vetëm Belushin përderisa Kadareja për të ishte i panjohur. "Kush është Kadare?". Prania e Konsullit qoftë ky edhe me një funksion nderi bënë atë lidhjen me shtetin amë. Në mungesë të një funksionari të shtetit prania e një titullari nderi na bënë nder. Në foton këtu sipër, Konsulli i nderit i Shqipërisë në Montreal zoti Harry Bloomfield i shoqëruar nga sekretarja Komunitetit Shqiptar të Kebekut në Montreal zonja Lindita Çaçi.

Një vizitor i veçantë

Siç e thash dhe më lartë organizatorët e koncertit veç kënaqësisëqë të ofron një koncert shqiptar kishin llogaritur ngritjen në një shkallë më të lartë të bashkëpunimit mes shoqatave shqiptare. Ndonëse nga Toronto nuk mundi të vinte njeri, nga Otava (Ottawa) në koncert mbrriti zoti Fehmi Asllani me familjen e vetë. Zoti Asllani është drejtuesi i shoqatës shqiptare në Otava. Pata kënaqësinë të flas me zotin Asllani. Ai më foli me nostalgji për Kosovën për punën e vetë të mesuesit atje dhe pse jo me krenari për ato çaka kishin bërë dhe po bëjnë ai dhe shqiptarë të tjerë këtu në Kanada. Jo vetëm prania e tij por dhe mesazhi që ai transmetoi ishin kuptim plotë. Ndër të tjera ai theksoi se gjithë shqiptarët kanë nevojë për njëri-tjetrin. Ka ardhur koha që shqiptarët të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në dobi të atdheut dhe emigrantët shqiptarë duhet të ndihmojnë çështjen kombëtare qoftë për Shquipërinë qoftë për Kosovën. Nuk mund të mohohet që emmigrantët shqiptarë bëjnë shumë dhe aktivizohen po të marrësh parasysh dhe impenjimet e tyre personale por tash ka ardhur koha të bëhet dhe më shumë. Në fakt shqetësmin e indiferencës së shqiptarëve e kami hasur ngado dhe në të gjitha qytetet e Amerikës së veriut ku ka shqiptarë.

Përmbi za që lshon bylbyli, gjuha shqipe m'shungullon...

Që nga mbrritja në restoranitn "Mère  Milia " në Laval e gjerë në mbarim të koncertit shqipja ishte jo vetëm gjuha zyrtare por u ndie ajo dëshira për të harruar se jashtë atyre mureve duhet përballur me gjuhë të tjera. Edlira, prezantuesja e koncertit as që e kish menduar që mund të prezantonte një koncert në Montreal në gjuhën e Fishtës e Naimit. Por shqipja e saj nuk ka të sharë po të kemi parasysh që është shqipja e shqiptarëve jashtë atdheut. Duhet edhe pak punë për t'ju afruar shqipes së shqiptarëve të atdheut. Prandaj duhet përshëndetur puna titanike e atyre që mbajnë hapur shkollat shqipe në Montreal, Toronto, Boston, New York etj etj.

Koka ne Stamboll, trupi ne Janine, Te vrane Ali Pasha, o pasha te shtrine...

Në "menunë" që na kishin paraqitur për muzikën e koncertit, mungonte jugu i Shqipërisë. Me shaka i thashë Albit, një nga organizatorët e koncertit se na kishin lënë jashtë hartës. "Jo mor, - mu kthye Albi, - po u them unë këngëtarëve dhe ke për të parë..." Dhe në fakt, këngëtari që ishte me origjinë nga Gjakova e këndonte këngën për Ali pashain sikur të ishin vetë "Djemtë e Vjosës". Dhe më e bukura, unë nuk qenkësha i vetëm nga Jugu. Në valle u përfshinë të gjithë. Dua të theksoj se koncerti dhe këngëtarët nderuan të gjitha krahinat shqiptare pa përjashtim. Nga Shkodra, Korça, Elbasani, Tepelena, Gjakova, Prishtina, të gjithë u ndien në shtëpinë e tyre.

Artistët nga Detroiti

Edhe artistët nuk ishin të këtushëm Ata vinin nga një komunitet tjetër, nga ai i Detroitit. Florenc Nushi nga Gjakova, Kosovë dhe Ditar Sherifi nga Pogradeci, Shqipëri ishin prova e bashkëpunimit pa kufi të shqiptarëve. Me zërin e tij Florenci ndezi një atmosferë që veç ne shqiptarët dimë ta krijojmë. Nuk kishte nevojë të pije për tu ngrohur (ndonëse pijet nuk munguan...). Mjaftonte zëri i Florencit dhe muzika e Ditarit për të elektrizuar sallën. Kur them që të gjithë u kënaqën, nuk përjashtoj këtu as fëmijët... Janë ata që do ti çojnë përpara traditat dhe zakonet tona. Sigurisht flasim për traditat dhe zakonat tona më të mira që duhen ruajtur e transmetuar.

Si njëherë e një kohë ...

Mbrëmja nuk mund të quhej e tillë pa ato tangot e një herë e një kohe. Nostalgjikët e kohëve të vjetra shijuan tango dhe vallëzime të kohës së rinisë... Ajo që më bëri përshtypje ishte "mobilizimi" i të gjithëve për të kënduar bashkë me artistët në skenë këngë patriotike. Kur këngëtari filloi një këngë të tillë një grup të rinjësh në një tavolinë, lidhën duartë njëri me tjetrin në shenjë bashkimi dhe kështu kënduan së bashku. Njëri prej tyre mbante në kokë një gotë me verë për të shprehur gëzim dhe ekuilibër.

Shqipëria e pranishme

Në kohën e verës tashmë shumë shqiptarë vijnë në Montreal ( Montreali është i bukur dhe në dimër....) për të vizituar të afërmit e tyre. Islami dhe Havako, kanë mbrritur në Montreal para tre javësh dhe dëshira për të parë se si do të ngjante një koncert shqiptar jashtë Shqipërisë morën pjesë, sigurisht të shoqëraur nga djali, Tani dhe familja e vetë. Nuk është njëlloj të shikosh një koncert në Tiranë dhe të shikosh një koncert në Montreal. Nuk besoj se kanë tënjëjtën shije. Nejse, miqtë tanë nga Tirana ngelën të kënaqur.

Një delegacion nga Saint-Jérôme...

Për mua ishte një e papritur e këndëshme prania e një grupi shqiptarësh nga Saint-Jérôme (San-Zherom...). Ata i njoha kur erdhën në Kanada përgjatë luftës së Kosovës dhe tash pas kaq vitesh fëmijët janë rritur aq sa nëse nuk do kisha njohur Ajrushin dhe vëllain e tij, fëmijët nuk do ti kisha njohur kurr. Kështu Krasniqët e ardhur nga lufta, janë bërë sot qytetarë kanadezë dhe ndihmojnë në përparimin e këtij shteti që u është bërë atdhe i dytë.

Organizatorët

Lulzim Laloshi kryetar i Komunitetit Shqiptar të Kebekut në Montreal dhe Albi Nushi anëtar i kryesisë së këtij komuniteti, ishin "shend e verë" dhe kishin arsye përse. Në mbrëmjen e organizuar u mblodhën më shumë shqiptarë nga sa vetë ata mund të imagjinonin. Në mbrëmje pati përfaqësues nga shoqata e shqiptarëve në Otawa. Ata shpresojnë tash të organizojnë aktivite të përbashkëta me shoqatat e shqiptarëve në Otawa, Toronto, New York, Boston, Detroit dhe qytete të tjera të Amerikës së Veriut ku është e mundur bashkëpunimi.

Në vend të konkluzionit

Qëllimi i këtij shkrimi reportazh nuk ishte vetëm të përshkruante atmosferën e një koncerti dhe mbrëmje shqiptare ( kjo po e po ...) por mbi të gjitha atë dëshirë që po vlon mes shqiptarëve për të ndryshuar diçka, për tu organizuar dhe bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Si përfundim po përmend dëshirën e gjithësecilit nga pjesëmarrësit në koncert : Le të mblidhemi më shpesh, le të bashkëpunojmë më shumë se kemi nevojë për njëri-tjetrin.

B O N U S (Foto nga aktiviteti...)

Ajet Nuro

Montreal, 2 korrik 2007

e-mail anuro@albemigrant.com

lajme / news albemigrant : Ne nuk prodhojmë lajme, ne transmetojmë lajmet tuaja ...

Tribuna Shqiptare | albemigrant | Kosova | Lajme / News

Bëhuni partëner të lajme / news albemigrant

Lajme News AlbEmigrant

Kopjoni kodin e mëposhtëm për të vendosur logon tek web-faqja juaj :

<a href="http://news.albemigrant.com" target="_blank"><img src="http://news.albemigrant.com/images/news_logo.jpg" width="200" height="60" border="0" alt="Lajme News AlbEmigrant"></a>

Lajmet ndërkombëtare të New York Times të përditësuara automatikisht!
New York Times (ENGLISH)

 

Portal Studenti !

Vizitoni Tirana Online Deutschland me info mbi Tiranen